nga
Leonard Veizi
Ç’e do informacionin mbi politikën ndërkombëtare,
çfarë masash do të marrë Tramp-i për Korenë e Veriut, cila është situata në
Lindjen e Mesme, apo si u mbyll bursa e Nju Jorkut. Le të tronditet bota nga tërmetet
dhe aktet terroriste, në fund të fundit ne kemi hallet tona. Po ato kush na i
qan?
Ndaj sot lajmet më të shpejta dhe që kanë
më shumë efekt janë ato që kanë të bëjnë me kufijtë e fshatit tënd, elementët e
thjeshtë të jetës njerëzore.
-E more vesh, Conia i shkretë na la.
-Mos more, çfarë më the kështu. Po kush
ta tha?
-Facebook-u. Sa e hapa në pikë të
mëngjesit më doli lajmi i parë. Lajmëronte i biri, në faqen e Cones sigurisht.
I kishin vendosur dhe një fjongo të zezë.
-Pse kishte Conja facebook?
-Edhe instagram po deshe. Varrimi bëhet
në 11 në Tufinë, ndërsa dreka në lokalin “XY” andej nga 21-shi.
-Fole gjë me ata të familjes?
-Po të them çfarë lexova në facebook.
Aty ishin shkruar të gjitha. Kishte dhe nja 200 ngushëllime te rubrika e
komenteve. Edhe ca surrete qe qanin, "emoji" quhen Vetëm unë e ti nuk kemi shkruar asnjë fjalë. Ndaj ngrehu të shkojmë te
xhenazja për vizitë.
Ja që facebooku na bën një shërbim të
madh. Marrim vesh kur vdesin të njohurit, edhe pse kohë më parë, pa platforma
digjitale e pa celularë android, lajmi i zi vinte me po të njëjtën shpejtësi.
Por tanimë faceboku e bën më të lehtë komunikimin. Zija ka pllakosur në shtëpi
e të afërmit po marrin masat e shpejta për të organizuar ceremoninë funebër,
por kjo s’do të thotë që nuk ke aq kohë sa të bësh një esse mbi fatin e trishtë
të një njeriu që jetoi e iku nga kjo botë pa kuptuar asgjë. Pak më vonë, si
arkivoli ka pushtuar mesin e dhomës dhe gratë me të zeza e kanë futur në mes, i
hedh një sy sërish faqes për të parë klikimet. Ca japin “like”, ca të tjerë
vendosin fytyra të mërzitura, ca me lot në sy dhe ca të tjerë të habitura. Mirë
këta të fundit, por këta që klikojnë te “pëlqej” në rast vdekje, mos duan të
thonë që: “më vjen mirë që iku nga kjo botë”. Se shqiptari nuk e ka zakon që
inatet t’i shprehë kur tjetri mbyll sytë e i lë të tjerët pas. Meqenëse nuk i
kam dhënë dot shpjegim këtij elementi, i kam futur një mendje të lehtë: epo
qejfe-qejfe kjo dynja.
Por "facebook"-u është në rend të ditës. Mëngjes, drekë, darkë. Edhe unë e shfrytëzoj rëndshëm. Madje dhe në mesnatë.
Lajme, sa më shumë lajme.
E nisa me vdekjet, sepse kjo është më e
dhimbshmja, për më tepër kur shoh facebookun të mbushur me fjongo të zeza e
publikim të shpalljes së ceremonive mortore, që deri dje ishim mësuar t’i
shihnim të ngjitura nëpër mure e shtylla telefoni.
Por nuk duhet parë vetëm ana e errët.
Në fakt facebooku është i mbushur edhe
me lajmërime për dasma, fejesa e datëlindje. Publikime të videove kur dhëndri
djeg shaminë e beqarit, e kur nusen sipër karriges e ngrenë përpjetë nja katër
djem azganë. Por syri në këto post-video të zë dhe ndonjë djalosh 10-12 vjeçar me
fustan që vërdalloset serbes nga dixhei me lap-top e bokse përpara e deri tek
tavolina kryesore e ceremonisë, i pushtuar nga puthje e përqafime që më në fund
ia arriti ditës e të bëhet një farë burri.
Janë synetllëqet.
Botuar në:
Botuar në:
No comments:
Post a Comment